E martë 18.06.2024 në sallën e Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore , u mbajt dëgjimi publik me qytetarë i Drejtorisë për Buxhet, Financa dhe Zhvillim Ekonomik lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027.
I pranishëm në këtë takim me qytetarë ishte edhe kryetari i komunës, z. Erden Atiq, kryesuesi i kuvendit, z. Nedzat Ugljanin, drejtorë komunal, asambleist komunal, qytetarë dhe media.
Me një fjalë rasti, të pranishmëve iu është drejtuar kryetari Atiq si dhe kryesuesi Ugljanin, duke theksuar se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes, të japin propozime dhe të shpalosin kërkesat e tyre të cilat do të bëhen pjesë e projekteve kapitale dhe sigurojnë një mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës Veriore.
Gjatë këtij dëgjimi, drejtoria e DBFZHE znj. Mevlyde Peci Shala dha informacione lidhur me këtë kornizë, e cila siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor komunal.
Granti i Përgjithshëm për vitin 2025 do të jetë në shumën prej 3,289,654.00 €, Granti Specifik për Arsim në vitin 2025 për Komunën e Mitrovicës Veriore arrin vlerën 1,651,532.00 €, Granti Specifik për Shëndetësi Primare për vitin 2025 është aprovuar në shumën prej 475,089.00 €, Financimi për Shëndetësi Sekondare është në shumën 989,935.00 €, Projeksioni për të Hyrat Vetanake 2025 arrin vlerën prej 106,157.00 €, ku ne totali buxheti I komunës së Mitrovicë Veriore pë vtin 2025 është në shumën 6,512,367.00 € sipas Qarkores 2025/01.